
Një zyrtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është arrestuar në Mitrovicë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe lidhje me individë të përfshirë në aktivitete kriminale. Burimet e hetuesisë kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Murat Latifin, i cili dyshohet se ka pasur kontakte të vazhdueshme me familjen Gerbeshi, aktualisht nën hetim për veprimtari të jashtëligjshme.
Ky zhvillim ka hapur debate mbi infiltrimin e grupeve kriminale brenda institucioneve të sigurisë dhe ndikimin që kjo sjell në sigurinë publike.
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, e cilësoi rastin si alarmues:
“Çdo zyrtar që lidhet me grupe kriminale cenon jo vetëm sigurinë, por edhe besimin e qytetarëve te institucionet. Kur ndershmëria e uniformës vihet në dyshim, krimi merr mbështetje nga brenda sistemit.”
Ai theksoi nevojën urgjente për “pastrim të policisë nga individët e korruptuar dhe forcim të mekanizmave të brendshëm të kontrollit”, duke shtuar se është e pamundur të hetohet një grup i strukturuar kriminal pa zbuluar edhe përfshirjen e ndonjë pjese të policisë.
Rasti pritet të thellojë hetimet dhe të vërë në qendër të vëmendjes integritetin e institucioneve të sigurisë në Kosovë.
KAQPATA