
Në një takim joformal të ministrave për çështje europiane në Kopenhagë, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avancuar më shumë drejt anëtarësimit në BE. Ajo theksoi se për vendet e tjera kriteret bazohen në meritokraci dhe se duhet shumë punë për të përmbushur objektivat.
Kos sqaroi se Mali i Zi ka hapur tashmë të gjithë kapitujt dhe mund të përfundojë procesin deri në fund të vitit 2026, ndërsa Shqipëria ka mbetur të hapë vetëm dy kapituj dhe mund të përfundojë negociatat teknike deri në fund të vitit 2027.
“Për të tjerët gjithmonë vlen meritokracia. Udhëheqja e vendit duhet të tregojë qytetarëve përfitimet e zgjerimit,” tha Kos, duke përmendur edhe rezultatet e anketave që tregojnë mbështetje të lartë nga qytetarët shqiptarë për anëtarësimin në BE.
Sa i përket Serbisë, Kos theksoi kritikën për mospërputhjen e politikës së jashtme me Unionin dhe nevojën për reforma, përfshirë median e lirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Nga Kosova, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, kërkoi përfshirjen e vendit në procesin e BE-së, duke theksuar se institucionet e Kosovës janë të përgatitura dhe meriton vlerësimin për statusin e kandidatit.
KAQPATA