
Aktorja e njohur amerikane Julia Roberts paralajmëroi se njerëzimi po humb aftësinë për të biseduar dhe reflektuar, ndërsa prezantoi premierën e filmit të saj të ri After The Hunt në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi trajton një çështje të ndjeshme të sulmit seksual, duke ndarë historinë e një studenteje në Universitetin Yale që akuzon një profesor për përdhunim.
Roberts theksoi se filmi nuk ofron një version të qartë të ngjarjeve, duke sfiduar audiencën të diskutojë dhe të reflektojë mbi moralin dhe perceptimet personale. “Ne po sfidojmë njerëzit të bisedojnë, të emocionohen ose të zemërohen – është zgjedhja e tyre,” tha Roberts. Ajo shtoi se filmi rikthen diskutime të vjetra në një formë që krijon dialog.

Aktrja luan rolin e profesoreshës Alma, e cila ndodhet midis një studenteje të shquar, Maggie (Ayo Edebiri), dhe një kolegu e shoku të saj, Hank (Andrew Garfield), i akuzuar për përdhunim. Filmimi nxjerr në pah kompleksitetin e karaktereve dhe situatave, duke detyruar personazhet dhe publikun të rishikojnë bindjet e tyre.

Disa kritikë e kanë vlerësuar rolin e Roberts si “performancën më të mirë të viteve të fundit”, ndërsa të tjerë kanë kritikuar mungesën e qartësisë morale të filmit. Regjisor i filmit është Luca Guadagnino, i njohur për Call Me by Your Name, ndërsa skenari është shkruar nga aktorja Nora Garrett në debutimin e saj si skenariste.
Roberts përfundoi duke thënë: “Po humbim artin e bisedës në shoqërinë tonë, dhe nëse ky film mund t’i bëjë njerëzit të flasin mes tyre, kjo është gjëja më emocionuese që mund të arrijmë.”
KAQPATA