
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës përfundoi sot me një ngërç politik, pasi nuk u arrit të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti joshumicë serb. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli seancën “të mbyllur”, duke theksuar se “janë shteruar të gjitha mundësitë”.
Dy kandidatët e Listës Serbe, Miljana Nikolliq dhe Igor Simiq, nuk morën asnjë votë në tri runde votimi, ndërsa kandidati tjetër, Nenad Rashiq, arriti të sigurojë vetëm 56 vota – pesë më pak se minimumi i kërkuar prej 61 votash. Kjo bëri që Kuvendi të mbetet pa përfaqësues nga komuniteti serb në kryesi.
Basha deklaroi se “moszgjedhja e një nënkryetari nuk mund të bllokojë konstituimin e Kuvendit” dhe paralajmëroi mbledhjen e Kryesisë për të hënën, më 1 shtator.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, e konsideron Kuvendin të konstituar dhe kërkon kalimin drejt formimit të Qeverisë. Deputetët Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiu theksuan se “vendit nuk i lejohet të bllokohet për shkak të një pozite të paplotësuar”.
Por partitë opozitare e kundërshtojnë këtë qëndrim. Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi duke theksuar se konstituimi është i paplotë dhe se çdo interpretim tjetër “përbën shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit”. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti veprimin e Vetëvendosjes “tallje me Kuvendin dhe qytetarët”.
Kjo situatë ndodh në kohën kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të largojë Listën Serbe nga skena politike, duke e cilësuar si një strukturë të formuar dhe të dirigjuar nga Beogradi. Ky vendim ka ndikuar drejtpërdrejt në dështimin për të zgjedhur përfaqësues të komunitetit serb në kryesinë e Kuvendit, duke thelluar edhe më shumë përplasjet politike.
Me Kuvendin ende të diskutueshëm nëse është apo jo i konstituar, ngërçi pritet të ndikojë në procesin e formimit të Qeverisë së re dhe në funksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
KAQPATA