
Tri fuqitë evropiane – Britania, Franca dhe Gjermania – kanë aktivizuar mekanizmin e njohur si snapback, që rikthen automatikisht sanksionet e OKB-së ndaj Iranit. Ky hap lidhet me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të cilën Teherani ka nisur ta shkelë vitet e fundit.
Sipas një deklarate të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve të njohura si E3 thanë se synimi mbetet i qartë: “Irani nuk duhet të zhvillojë kurrë një armë bërthamore”. Ata shtuan se 30 ditët e ardhshme do të përdoren për përpjekje diplomatike shtesë.
SHBA-ja e ka mirëpritur vendimin, duke e cilësuar si një hap që forcon diplomacinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni mbetet i hapur për dialog të drejtpërdrejtë me Iranin.
Nga ana tjetër, Teherani e ka dënuar veprimin, duke e cilësuar “përshkallëzim të panevojshëm” që dëmton bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore.
Nëse mekanizmi finalizohet, marrëveshja bërthamore e vitit 2015 do të zhbëhet në praktikë. Kjo marrëveshje kishte vendosur kufizime të rrepta mbi programin bërthamor të Iranit, përfshirë nivelin e pasurimit të uraniumit.
Irani nisi të largohej nga zbatimi i saj pas vitit 2018, kur SHBA u tërhoq njëanshëm nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione. Që atëherë, Teherani ka pasuruar uraniumin deri në 60 për qind, shumë mbi kufirin e lejuar.
KAQPATA