
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar një muaj paraburgim për Lubisha Milkoviqin, i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë ngjarjeve të 29 majit 2023 në Zveçan.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Milkoviq, së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, dyshohet se morën pjesë aktive në turmën që kundërshtoi vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore. Ai akuzohet se ka përdorur dhunë, mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, duke lënduar të paktën 30 ushtarë të KFOR-it (tre prej tyre nga armët e zjarrit), disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në automjete të KFOR-it, Policisë dhe gazetarëve.
Milkoviq akuzohet për disa vepra penale, përfshirë:
- Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese
- Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare
- Sulm ndaj personit zyrtar
- Pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm
Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Prokuroria ka theksuar se veprimet e tij kanë rrezikuar seriozisht jetën e trupave ndërkombëtarë dhe të policëve të Kosovës.
KAQPATA