
Pas letrës së hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, këngëtarja e njohur Arta Bajrami ka bërë një reagim të dytë, duke sqaruar se qëllimi i saj nuk ka pasur ngjyrim politik, por ka qenë thjesht human dhe qytetar.
Në një postim të publikuar sot, Bajrami thekson se disa individë e kanë interpretuar gabimisht letrën, duke e parë atë si të drejtuar vetëm ndaj një partie politike.
“Dua ta sqaroj qartë: letra ime nuk ka pasur kurrfarë ngjyrimi politik. U drejtova Kryeministrit dhe Presidentes sepse ata janë krerët më të lartë të shtetit dhe mbajnë përgjegjësi institucionale,” shkruan ajo.
Bajrami nënvizon se qëllimi i vetëm është miratimi i ligjit për fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetja e projekteve që u shërbejnë atyre.
“Ky ligj duhet të votohet pavarësisht se kush është në pushtet, sepse nuk ka të bëjë me interesa partiake, por me jetën e fëmijëve tanë dhe dinjitetin e familjeve të tyre,” thekson ajo.
Këngëtarja sqaron se po vepron si nënë, qytetare dhe përfaqësuese e shumë familjeve që përballen me sfida të ngjashme, duke ngre zërin për çështje humanitare dhe jo politike.
Ky reagim vjen një ditë pas letrës së saj të hapur, ku ajo kritikoi klasën politike për krizën institucionale të zgjatur në Kosovë dhe kërkoi miratimin urgjent të ligjit për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe mbështetjen për projektin e humanistit Halil Kastrati.

KAQPATA