
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar sot se më 14 shtator 2025, në orën 14:00, do të mbahet një protestë paqësore para Gjykatës Speciale në Hagë. Protesta është iniciuar nga bashkëluftëtarë të diasporës, të cilët po marrin mbështetje nga organizatat e dala nga lufta.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se protesta synon të kundërshtojë padrejtësitë që, sipas tij, po bëhen ndaj luftës çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se kërkesa për protestë është dorëzuar te autoritetet holandeze dhe se janë në pritje të konfirmimit për lokacionin.
Edhe Fatmir Koci, një nga organizatorët nga diaspora, u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të marrin pjesë, duke theksuar se në Hagë nuk po gjykohen individë, por e gjithë lufta çlirimtare dhe vetë shtetësia e Kosovës.
“Luftën e kemi fituar me gjakun e dëshmorëve dhe përkrahjen e miqve tanë. Edhe këtë betejë për dinjitet dhe të vërtetën do ta fitojmë së bashku”, tha Koci.
Organizatorët presin pjesëmarrje të gjerë nga mërgata dhe theksojnë se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore.
KAQPATA