
Gjykatësi francez Nicolas Guillou, ish-gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale në Hagë, është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai njihet për përplasjet me mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe një replikë ironike ndaj avokatit të Hashim Thaçit, David Hooper.
Pas ankesës së Hooper për mungesën e simboleve të Kosovës në sallën e Gjykatës Speciale, Guillou i ishte përgjigjur me tallje: “Mund të kishit veshur rroba të kuqe”, duke shkaktuar reagime.
Departamenti i Shtetit bëri të ditur se Guillou dhe disa kolegë të tij u sanksionuan për vendimin që autorizoi fletarrestime të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, lidhur me luftën në Gazë.
Sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, këta gjyqtarë dhe prokurorë janë angazhuar në hetime dhe ndjekje penale kundër shtetasve të SHBA-së dhe Izraelit, “pa pëlqimin e këtyre vendeve”. Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie në juridiksionet amerikane.
Guillou, i cili dha dorëheqje nga Specialja në qershor për t’iu bashkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare, tani përballet me masa ndëshkuese që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në karrierën e tij ndërkombëtare.
KAQPATA