
Ismail Nika, babai i Endrit Nikës – të akuzuarit për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë, në verën e vitit 2023 – ka thënë se djali i tij po mbahet padrejtësisht në burg.
Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, ai deklaroi se djali i tij është i pafajshëm dhe se kishte planifikuar ta propozonte për martesë të ndjerën.
“Djali ynë i pafajshëm po kalbet në burg. Kushtet janë të vështira, por ai po ia del mbanë dhe është i burgosur model”, tha 60-vjeçari.
Ai tregoi se çifti kishte marrë një dhomë hoteli për shkak të angazhimeve të familjes në dasmën e djalit tjetër. Sipas tij, Endriti donte ta surprizonte të dashurën me një propozim martese pas dasmës.
Ismaili pranoi se fillimisht e kishte mallkuar të birin, pasi u keqinformua nga një oficer policie, por më pas e besoi kur ai u betua se nuk e kishte prekur të dashurën.
Sipas aktakuzës, Prokuroria e ngarkon Nikën me vrasje të rëndë, duke pretenduar se ai e ka shtyrë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit në Fushë-Kosovë. Në seancën fillestare, Endrit Nika u deklarua 100% i pafajshëm.
KAQPATA