
Egzona Bytyqi është një nga emrat që po ngjallë shpresë e besim në garën politike për Asamblenë Komunale të Lipjanit. Doktoreshë e Mjekësisë, aktualisht specializante në vitin e fundit në Klinikën e Onkologjisë, ajo ka arritur të ndërtojë një profil të fortë profesional, duke e kombinuar njohurinë shkencore me humanizmin dhe ndjeshmërinë e saj për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
E njohur për përkushtimin në fushën e mjekësisë, Egzona ka treguar gjithmonë se puna me pacientët nuk është vetëm profesion, por mision jetësor. Përvojat e saj të përditshme në trajtimin e pacientëve me sfida të mëdha shëndetësore i kanë dhënë asaj një perspektivë unike mbi rëndësinë e shëndetit publik, përkujdesjes sociale dhe politikave që lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve.
E renditur me nr 12 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Lipjanin, Egzona Bytyqi synon të sjellë në politikën lokale një frymë të re: atë të profesionalizmit, transparencës dhe vizionit afatgjatë. Për të, politika nuk duhet parë vetëm si pushtet, por si mundësi për të bërë ndryshime të prekshme për njerëzit – qoftë në shëndetësi, në arsim, apo në cilësinë e jetës komunitare.
“Unë besoj se Lipjani meriton më shumë. Meritoni përfaqësues që punojnë me ndershmëri, profesionalizëm dhe vizion të qartë. Jam këtu për të dhënë zërin tim dhe për të qenë pranë qytetarëve në çdo vendim që prek jetën e tyre”, është shprehur Egzona për KAQPATA
Për shumë bashkëqytetarë, kandidimi i saj shihet si një kombinim i shkëlqyer mes një profesionisteje të përkushtuar dhe një të reje që ka kurajë të marrë përgjegjësi politike. Figura e saj shihet si krenari jo vetëm për Lipjanin dhe për Partinë Demokratike të Kosovës, por edhe për Kosovën, duke dëshmuar se rinia e arsimuar dhe e kualifikuar mund të japë një kontribut të rëndësishëm në jetën publike.
Egzona Bytyqi është shembull i gjeneratës së re që po hyn në politikë me synimin për të ndryshuar realitetin, për të ofruar zgjidhje konkrete dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e Lipjanit.
KAQPATA