
Një teknologji e re e ruajtjes së të dhënave po vjen nga Kina: SSD-të ultra të vegjël, aq të hollë sa futen në pajisje njësoj si SIM kartat.
Prodhuesi kinez i memorieve Biwin i ka quajtur “Mini SSD”, ndërsa disa kompani të tjera i referohen si “1517”. Me përmasa vetëm 15mm x 17mm x 1.4mm, disqet janë më të vegjël se një monedhë amerikane, por arrijnë shpejtësi mbresëlënëse deri në 3,700 MB/s lexime dhe 3,400 MB/s shkrime përmes një lidhjeje PCIe 4×2. Kapacitetet do të jenë 512GB, 1TB dhe 2TB.

Krahasuar me kartat MicroSD Express (maksimumi teorik 985 MB/s), Mini SSD është më shumë se tre herë më i shpejtë. Ndërsa kartat SD Express mund të arrijnë deri në 3,940 MB/s, ato janë pothuajse dy herë më të mëdha.
Mini SSD-të futen në pajisje përmes një sloti të dedikuar që funksionon njësoj si vendosja e SIM kartave me pin, dhe Biwin premton rezistencë IP68 ndaj ujit dhe pluhurit si dhe mbrojtje nga rënia deri në tre metra.
Dy pajisje të reja të lojërave tashmë i kanë adoptuar: GPD Win 5 dhe OneXPlayer Super X nga OneNetbook, të prezantuara në panairin ChinaJoy. Përveç lojërave portative, Biwin po i marketon Mini SSD-të edhe për laptopë, telefona, tabletë dhe kamera.
Çmimi ende nuk është bërë publik, dhe nuk ka listime zyrtare për shitje.

KAQPATA