
Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve doganore me Shtetet e Bashkuara, kompanitë zvicerane planifikojnë të rrisin pagat në vitin 2026, me rritje më të madhe të parashikuar në sektorin e ndërtimit. Kështu bëhet e ditur nga një sondazh i Qendrës KOF të Institutit Federal Zviceran të Teknologjisë (ETH), transmeton gazeta NZZ am Sonntag.
Sipas sondazhit, kompanitë planifikojnë një rritje mesatare nominale prej 1.3% të pagave gjatë 12 muajve të ardhshëm. Duke marrë parasysh inflacionin, i cili vlerësohet në 0.5%, rritja reale pritet të jetë 0.8%.
Ndërtimi dhe industria e hotelerisë, fituesit më të mëdhenj
Sektori i ndërtimit pritet të përfitojë më shumë, me një rritje të pagave prej 1.7%. Industria e hotelerisë dhe gastronomisë gjithashtu parashikon një rritje të konsiderueshme, prej 1.5%. Sektoret e tjera, si tregtia me shumicë, prodhimi dhe shitja me pakicë, do të shënojnë rritje më të ulët, midis 0.9% dhe 1.1%.
Të dhënat u mblodhën para vendosjes së tarifave doganore 39% nga SHBA mbi produktet zvicerane, të cilat mund të kenë ulur pritshmëritë e kompanive industriale të orientuara drejt tregut amerikan.
Rreziqet për vendet e punës dhe ekonominë
Nëse tarifat vazhdojnë, rreth 7,500 deri 15,000 vende pune mund të jenë në rrezik, sidomos në sektorë të dobësuar si oraçaria dhe ndërtimi i makinave. Papunësia në industrinë e orëve ka arritur tashmë në 6.1%. Rritja ekonomike pritet të ngadalësohet, me një tkurrje të mundshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) mes 0.3% dhe 0.6%, duke e ulur rritjen vjetore nën 1%. Megjithatë, një recesion i plotë pritet të shmanget.
Sondazhi i KOF u zhvillua mes 4,500 kompanish dhe monitoron pritshmëritë për pagat në sektorin privat çdo tremujor që nga viti 2022.
KAQPATA