Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ndalimin e katër personave për 48 orë, nën dyshimet për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi është realizuar pas veprimeve intensive hetimore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Dy nga të dyshuarit, me inicialet N.S. dhe D.S., dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale – Vrasja e rëndë”.

Ndërkaq, dy personat e tjerë, me inicialet M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e personave të ndaluar në veprat penale për të cilat dyshohen.

Po ashtu, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të vrasjes.

Kërkohet paraburgimi për katër të dyshuarit

Prokuroria ka paralajmëruar se, brenda afatit ligjor, do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Ndërkohë, në raportimet paraprake është bërë e ditur se në mesin e personave të arrestuar dyshohet se janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i viktimës.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërsa autoritetet synojnë të ndriçojnë të gjitha rrethanat dhe personat e mundshëm të përfshirë.

Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *