Një nga talentet më premtuese të futbollit ekuadorian ka pësuar një goditje të rëndë vetëm pak ditë para fillimit të Kampionatit Botëror U-17. Deinner Ordóñez, futbollisti që kishte tërhequr vëmendjen e Barcelonës dhe disa prej klubeve më të mëdha evropiane, është detyruar të tërhiqet nga turneu për shkak të një lëndimi.
Sipas mediumit spanjoll “Sport”, mbrojtësi 17-vjeçar nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses së Ekuadorit në Botërorin U-17, që zhvillohet në Katar deri më 13 dhjetor.
Federata e Futbollit e Ekuadorit ka konfirmuar mungesën e tij për shkak të lëndimit, por nuk ka bërë të ditur natyrën e problemit fizik dhe kohëzgjatjen e rikuperimit.
Barcelona e kishte në radar, por Chelsea siguroi shërbimet e tij
Ordóñez konsiderohet një prej talenteve më të spikatura të akademisë së Independiente del Valle, një klub i njohur për prodhimin e futbollistëve të rinj me potencial të madh.
Mbrojtësi, i gjatë 1.88 metra, dallohet për forcën fizike, shpejtësinë, aftësitë teknike dhe saktësinë në pasime. Ai është gjithashtu kapiten i përfaqësueses U-17 të Ekuadorit.
Paraqitjet e tij kishin tërhequr interesimin e Barcelonës dhe klubeve të tjera të mëdha evropiane. Megjithatë, Chelsea kishte arritur marrëveshje me Independiente del Valle që në nëntor të vitit të kaluar, kur futbollisti ishte vetëm 16 vjeç.
Sipas planit të transferimit, Ordóñez pritet të bashkohet me klubin londinez pasi të mbushë 18 vjeç, në tetor të vitit të ardhshëm. Ardhja e tij në Evropë parashihet për afatin kalimtar të janarit 2028.
Chelsea më pas do të vendosë nëse do ta integrojë në akademinë e vet apo do ta dërgojë në Strasbourg, klubin e lidhur me pronësinë e njëjtë, për të fituar përvojë në futbollin evropian.
Një tjetër talent nga akademia e famshme ekuadoriane
Ordóñez është futbollisti i tretë nga Ekuadori që i bashkohet projektit të Chelseat në vitet e fundit, pas Moisés Caicedos dhe Kendry Páezit.
Ai shihet si një mbrojtës me potencial të madh dhe mund të ndjekë gjurmët e bashkëkombësve Willian Pacho dhe Piero Hincapié, të cilët gjithashtu janë zhvilluar në akademinë e Independiente del Valle.
Për momentin, prioriteti i tij mbetet rikuperimi nga lëndimi dhe rikthimi në fushën e gjelbër, për të vazhduar zhvillimin e karrierës që premton shumë.
KAQPATA

