Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin dhe ka lëshuar urdhërarrest për Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe dhe një nga figurat kryesore të lidhura me organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Vendimi vjen pasi Radoiçiq nuk është paraqitur në stacionin policor Savski Venac më 15 nëntor, siç e kishte obligim në kuadër të masave të sigurisë të vendosura ndaj tij.
Sipas raportimit të BIRN-it, ai duhej të paraqitej në polici më datat 1 dhe 15 të çdo muaji, për të konfirmuar vendndodhjen e tij. Herën e fundit ishte paraqitur më 1 nëntor.
Pas mosrespektimit të këtij detyrimi, autoritetet kanë ndërmarrë masa për arrestimin e tij.
Dyshimet se Radoiçiq është larguar drejt Moskës
Më 13 nëntor, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, deklaroi në televizionin N1 se kishte marrë informacione jozyrtare nga kjo agjenci se Radoiçiq ishte larguar nga Serbia një ditë më parë dhe kishte udhëtuar drejt Moskës.
Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet serbe.
Pasaporta e Radoiçiqit ndodhet në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila ia kishte konfiskuar në kuadër të procedurës penale që lidhet me sulmin në Banjskë.
Ndërkohë, urdhërarresti i lëshuar nga gjykata në Beograd nuk nënkupton automatikisht se është aktivizuar edhe një urdhërarrest ndërkombëtar.
Për këtë nevojitet një procedurë e veçantë, përmes së cilës Byroja Kombëtare e Interpolit në Serbi duhet t’i drejtohet Interpolit me kërkesë për lëshimin e tij.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur: Stefan Nedeljkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Igor Milenkoviq.
Disa ditë pas sulmit, Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq. Pas kësaj, ai dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.
Autoritetet në Beograd kanë mohuar çdo përfshirje në organizimin e sulmit.
Hulumtimet e BIRN-it kanë evidentuar se një pjesë e municionit dhe pajisjeve ushtarake të përdorura në Banjskë ishte prodhuar ose riparuar në Serbi.
Ndër të tjera, është identifikuar municion i prodhuar në fabrikën Belom, si dhe një granatahedhës automatik M93 i prodhuar nga Zastava dhe i riparuar në një institucion teknik shtetëror serb.
Një tjetër hulumtim i publikuar nga BIRN në maj të vitit 2026 zbuloi se dy automjete të blinduara Mercedes G-Class, të sekuestruara pas sulmit, ishin të regjistruara në emër të kompanisë Pent Rent nga Beogradi, e lidhur me Radoiçiqin dhe biznesmenin Zvonko Veselinoviq.
Sipas Prokurorisë së Kosovës, në njërën prej automjeteve ishte gjetur edhe një leje armësh në emër të Radoiçiqit.
Në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë
Radoiçiq ishte arrestuar nga policia serbe më 3 tetor 2023, pas kthimit në Serbi.
Ai ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, ku kishte mohuar kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohej.
Prokuroria serbe e dyshon për komplot për kryerjen e veprave penale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve shpërthyese, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Fillimisht, prokuroria kishte kërkuar paraburgimin e tij për shkak të rrezikut të arratisjes, por gjykata e kishte refuzuar kërkesën.
Në vend të kësaj, ndaj tij ishin vendosur masa që përfshinin ndalimin e largimit nga Serbia dhe udhëtimit drejt Kosovës pa lejen e gjykatës, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës dhe paraqitjen e rregullt në polici. Këto masa ishin vazhduar për herë të fundit më 30 shtator 2026.
Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sulmi në Banjskë, hetimet në Serbi ende nuk kanë përfunduar dhe aktakuzë nuk është ngritur.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, kishte paralajmëruar se vendimi për aktakuzën pritej të merrej në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025.
Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave
Në Kosovë, Prokuroria Speciale kishte ngritur në shtator të vitit 2024 aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Milan Radoiçiq figuron i pari në listën e të akuzuarve.
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për të dhe të dyshuarit e tjerë që ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës, por kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për gjykimin e tyre në mungesë.
Tre të pandehurit e arrestuar në Kosovë u dënuan në vitin 2025.
Radoiçiq, ndërkaq, ndodhet në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit që nga dhjetori i vitit 2021.
KAQPATA

