
Meta blen kompaninë Play AI që krijon zëra me inteligjencë artificiale
Gjiganti teknologjik Meta ka konfirmuar blerjen e startupit inovativ Play AI, i specializuar në krijimin e zërave njerëzorë përmes inteligjencës artificiale. Lajmi u publikua fillimisht nga Bloomberg, ndërsa përmes një memoje të brendshme, Meta ka njoftuar se i gjithë ekipi i Play AI do t’i bashkohet kompanisë javën e ardhshme.
“Puna e Play AI në krijimin e zërave natyralë dhe platformës për krijim të lehtë zëri përputhet për mrekulli me vizionin tonë në AI Characters, Meta AI, pajisje të veshshme dhe përmbajtje audio,” thuhet në deklaratën e Metës.
Ky është një hap i rëndësishëm në strategjinë afatgjatë të Metës për të forcuar pozicionin në fushën e inteligjencës artificiale. Kohët e fundit, kompania ka rekrutuar talente nga OpenAI dhe ka arritur marrëveshje me kompani si Scale AI, ku CEO-ja Alexandr Wang tashmë udhëheq një ekip të ri në Meta të fokusuar në superinteligjencë.
Detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike.
KAQPATA