
Ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Werner Daum, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ai është gjetur pa shenja jete në dhomën e hotelit në Kavajë ku po qëndronte prej disa ditësh.
Ngjarja është konfirmuar nga Policia e Shtetit, e cila ka bërë të ditur se rreth orës 12:30 të së shtunës, trupi i pajetë i diplomatit gjerman është gjetur në një hotel në zonën e Golemit. Sipas këqyrjes paraprake, në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
“Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W.D., 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman). Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Vetëm pak ditë më parë, Daum kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo, në Kavajë. Në fjalimin e tij emocional, ai kishte rikujtuar periudhën kur shërbente si ambasador në Shqipëri gjatë viteve 1987-1990, kohë kur, sipas tij, filluan ndryshimet historike që çuan në rënien e regjimit komunist.
“Unë isha këtu për tre vjet, që nga viti 1987, kur hapa ambasadën, deri në korrik të vitit 1990, kur ambasada ime u shemb në kuptimin fizik. Por jo vetëm ndërtesa e ambasadës shkoi drejt rrënimit, por edhe marrëdhënia që unë përpiqesha të ndërtoja me popullin shqiptar, me shoqërinë, me intelektualët, gjithçka dukej sikur ishte humbur. Por, përkundrazi, ajo që ndodhi ishte lindja e diçkaje të re dhe të bukur. Ishte lindja e lirisë”, kishte deklaruar ai.
Daum kishte theksuar se ishte krenar që kishte luajtur një rol të vogël në nxitjen e ndryshimeve, duke përmendur edhe shkrimtarin Ismail Kadare si një nga figurat kyçe të asaj periudhe. Ai njihej si një prej diplomatëve që, përkundër udhëzimeve të qeverisë së tij, kishte hapur dyert e ambasadës për qytetarët shqiptarë në vitin 1990, duke u dhënë atyre një dritare shprese drejt lirisë.
“Një regjim që dyshon edhe te intelektualët e vet më të mëdhenj është i destinuar të bjerë – dhe jam krenar që pata një dorë, sado të vogël, në këtë proces. E dua Shqipërinë, e dua këtë vend, natyrën e tij të mrekullueshme, malet, detin, veçanërisht vendet historike”, ishin disa nga fjalët e fundit publike të tij.
Werner Daum do të kujtohet si një mik i Shqipërisë dhe një figurë e respektuar që la gjurmë në një nga periudhat më të rëndësishme të tranzicionit demokratik të vendit.
KAQPATA