Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza (ISF), pas nënshkrimit të marrëveshjes që formalizon pjesëmarrjen e saj në këtë mision ndërkombëtar.
Marrëveshja është nënshkruar gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të ISF-së në Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, në prani të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, dhe përfaqësuesit të Bordit të Paqes.
Dokumenti është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bordit të Paqes/ISF Gaza dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë ceremonisë, gjeneralmajor Jeffers ka vlerësuar vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të FSK-së, Jeffers ka theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Ndërkaq, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ka deklaruar se pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të kontribuar në mënyrë konkrete në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
“Pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sipas FSK-së, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.
Komanda e FSK-së ka theksuar se synimi strategjik është që Kosova të kalojë nga një “importues i sigurisë” në një “eksportues të saj”, duke rritur vazhdimisht kontributin në sigurinë ndërkombëtare.
FSK-ja ka bërë të ditur se synon të kontribuojë aktivisht në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pjesëmarrja në misionin ndërkombëtar në Gaza shënon një angazhim të ri të FSK-së në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizim dhe siguri.
KAQPATA


