
Analizat toksikologjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë më 7 korrik pas ndërhyrjes së Policisë në Lipjan, nuk do të kryhen në Kosovë.
KAQPATA mëson se Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore është jashtë funksionit, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga një zjarr në objekt.
Për këtë arsye, mostrat janë dërguar për analizë në Maqedoninë e Veriut, ku do të përcaktohet nëse i ndjeri ka qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike.
Përfaqësuesit e IML-së nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me çështjen, përkundër kërkesave me shkrim dhe thirrjeve telefonike të redaksisë.
Rasti i vdekjes së Zejnullahut ka shkaktuar reagime të forta në publik. Policia deklaron se ai po sillte në mënyrë të dhunshme në rrugën “Haradin Bajrami”, duke sulmuar kalimtarë dhe vetura.
Gjatë ndërhyrjes për ta ndaluar, Policia ka përdorur sprej, ndërsa Zejnullahu ka vdekur me duart e lidhura në pranga.
Pesë zyrtarë policorë janë suspenduar dhe ndaluar nga IPK. Seanca dëgjimore ndaj tyre është mbajtur sot, dhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
KAQPATA