Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, duke shtyrë shpalljen e aktgjykimit ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për ngjarjen e rëndë të ndodhur në vitin 2021.

Vendimi u mor në seancën e së premtes, ku fillimisht ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohen se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim, me motiv hakmarrjen.

Avokati i familjes së dëmtuar, Arianit Koci, bëri të ditur se gjykata vendosi ta rihapë procesin për administrimin e një prove shtesë.

“Sot e kemi pritur vendimin. Sidoqoftë, gjykata ka vlerësuar se duhet të vërtetohet edhe një provë, prandaj e ka rihapur gjykimin. Deri më tash, kryetari i trupit gjykues e ka udhëhequr proceduralisht shumë mirë. Unë, si përfaqësues i familjes së dëmtuar, jam i kënaqur dhe besoj se pas seancës së radhës do të merret vendimi”, deklaroi Koci.

I pyetur nga gazetarët se cila ishte prova që ndikoi në rihapjen e gjykimit, Koci tha se bëhet fjalë për një video.

“Gjykata e ka arsyetuar sot vendimin e vet. Bëhet fjalë për një video dhe për fjalën përfundimtare të prokurores. Sidoqoftë, do ta shqyrtojmë dhe do të përfundojë edhe ky proces”, u shpreh ai.

Sipas aktakuzës, objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, i ndjeri Gani Gjokaj. Prokuroria pretendon se familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e Heroina Mehmetajt, duke e cilësuar këtë si motiv të krimit.

Në dosjen e rastit thuhet se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkivolin e saj.

Organi i akuzës pretendon se të akuzuarit kishin planifikuar paraprakisht sulmin, duke zgjedhur një lokacion pa kamera sigurie në rrugën ku qarkullonte autobusi i linjës Gjakovë–Gllogjan.

Sipas aktakuzës, Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte dalë në rrugë duke u shtirur si i dehur për ta detyruar autobusin të ngadalësonte. Në atë moment, sipas Prokurorisë, ai hapi zjarr ndaj shoferit Gani Gjokaj.

Nga sulmi mbetën të vrarë Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., ndërsa F.T. u plagos rëndë.

Prokuroria pretendon gjithashtu se pas sulmit Kastriot Mehmetaj u largua drejt fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj, ndërsa arma e përdorur në krim dyshohet se ishte shkatërruar më pas.

Halil Mehmetaj akuzohet edhe se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur vazhdimisht Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar atë për vetëvrasjen e vajzës së tij.

Pas vendimit për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, pritet që në seancën e ardhshme të administrohet prova e re, përpara se gjykata të marrë vendimin përfundimtar në këtë rast.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *