
Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka reaguar pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit duhet konsensus ndërmjet deputetëve.
Basha u shpreh se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit ka bërë të qartë se Kryesuesi i Seancës ka të drejtë të urdhërojë përgatitjen e sallës për votim të fshehtë, pa pasur nevojë për mocion procedural.
“Paragrafi 178 i aktgjykimit e sqaron qartë se mënyra e votimit – i hapur apo i fshehtë – nuk është e përcaktuar në Kushtetutë e as në Rregulloren e Punës. Kjo i jep kompetencë Kryesuesit të udhëzojë administratën, pa pasur nevojë për vendim komisioni”, shkroi Basha.
Ai kritikoi opozitën për keqinterpretim të rregullores dhe për pretendime të pabazuara se po ndryshohet rendi i ditës. Sipas tij, ndryshimi i mënyrës së votimit nuk nënkupton ndryshim të rendit të ditës, pasi Kuvendi vazhdon me të njëjtën pikë – zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në fund, ai tha se pretendimet e opozitës bien ndesh me aktgjykimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij, nuk i jep të drejtë asnjërit nga argumentet e tyre.
KAQPATA