
Të paktën 25 palestinezë janë vrarë të enjten nga sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, përfshirë 12 persona në një shkollë që shërbente si strehimore për civilët e zhvendosur nga lufta. Lajmi është konfirmuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza.
Sulmi më i rëndë ndodhi në shkollën “Mustafa Hafez” në lagjen Al-Rimal të qytetit të Gazës, ku sipas zyrtarit lokal Mohammad al-Mughayyir, shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.
“Kemi 12 dëshmorë… dhe një numër të madh të plagosurish”, tha Mughayyir për AFP.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin ndërtesën e shkatërruar, mbuluar nga tymi dhe rrënojat, ndërsa fëmijët shfaqeshin të hutuar në mes të kaosit.
Një incident tjetër u raportua në Gazën qendrore, ku forcat izraelite dyshohet se kanë qëlluar mbi civilë që prisnin ndihma humanitare, duke lënë gjashtë të vdekur dhe shumë të plagosur.
Ushtria izraelite është në proces verifikimi të këtyre raporteve.
Lufta në Gaza, e cila nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ka hyrë në muajin e 22-të. Nga sulmet izraelite deri tani kanë humbur jetën mbi 57 mijë persona, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Sipas Kombeve të Bashkuara, këto shifra janë të besueshme.
Nga ana tjetër, sulmi i Hamasit në tetor 2023 ka shkaktuar vdekjen e 1,219 personave në Izrael.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka përsëritur zotimin për “zhdukjen e Hamasit”, ndërkohë që kjo organizatë militante ka deklaruar se po shqyrton propozimet e reja për armëpushim të ndërmjetësuara nga SHBA.
KAQPATA