Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të qumështores “Vita”, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për, siç tha ai, qasje armiqësore ndaj sektorit privat dhe prodhuesve vendorë.
Sipas Mustafës, zhvillimet e fundit rreth kompanisë “Vita” japin një mesazh negativ për investitorët dhe ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e biznesit në vend.
Në një reagim publik, Mustafa e cilësoi ndërhyrjen institucionale si “represion ndaj sektorit privat”, duke pretenduar se Qeveria po dëmton prodhuesit vendorë.
“Represioni i sotëm ndaj qumështores ‘Vita’ tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë”, ka deklaruar ai.
Mustafa ka kritikuar edhe deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke e akuzuar për rol të drejtpërdrejtë në proceset e inspektimit dhe vendimmarrjes institucionale.
Sipas tij, një qasje e tillë po i dëmton prodhuesit vendorë dhe po krijon pasiguri në treg.
Ai ka theksuar se në një mjedis ku, sipas tij, Qeveria ka qasje të tillë ndaj biznesit, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Nuk mund të ketë as investime vendore e as të huaja në një vend ku qeveria është armiqësore ndaj sektorit privat”, tha Mustafa.
Në deklaratën e tij, Mustafa ka akuzuar edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke pretenduar se politikat aktuale nuk synojnë zhvillim ekonomik.
Sipas tij, modeli aktual ekonomik rrezikon të rrisë varësinë e qytetarëve nga ndihmat shtetërore, në vend të krijimit të kushteve për punësim dhe investime.
“Qeveria nuk po krijon kushte për zhvillim dhe dinjitet ekonomik, por një model ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat”, ka deklaruar ai.
KAQPATA


