
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e vazhdimit të tri seancave të fundit konstituive të Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tyre, përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se kandidatura për kryetar të Kuvendit duhet të ndryshohet, ndërsa akuzoi qeverinë për ngecje të procesit të konstituimit të institucioneve. Ai njoftoi se rasti do të dorëzohet sot në Kushtetuese.
“Kurti i ka fituar 48 mandate dhe nuk është në gjendje të krijojë shumicën parlamentare. Më 12 tetor do ta mundim edhe më thellë se para katër vjetëve”, tha ai, duke reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti në një intervistë televizive, ku ky i fundit sugjeroi se zyrtarët e partive opozitare marrin udhëzime nga të arrestuarit në Hagë.
Krasniqi u përgjigj duke thënë se ndoshta Kurti “tmerrohet nga ideja që çlirimtarët do të kthehen së shpejti mes nesh”.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i cili deklaroi se shkeljet e Kushtetutës kanë vazhduar në çdo seancë të mbajtur pas publikimit të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Jemi në përgatitje të lëndës për t’iu drejtuar Kushtetueses. Jemi në koordinim me partnerët për të parë qasjen më të mirë për ta adresuar këtë shkelje të aktgjykimit dhe të Kushtetutës,” deklaroi Zogaj.
Opozita i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të rikthehet në rendin kushtetues dhe të respektojë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar vazhdimin e seancave si tejkalim të kompetencave dhe cenim të rregullit parlamentar.
KAQPATA