
Dy seanca gjyqësore të planifikuara në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt janë anuluar, pasi Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për të përfunduar ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit kryesor, Naim Murseli.
Lajmin e ka konfirmuar gjykatësja e çështjes, Fatime Dermaku, për “Betimi për Drejtësi”.
“Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka kërkuar kohë shtesë për ekspertim. Trupi gjykues ka vendosur të zgjasë afatin për ekspertimin e të akuzuarit Naim Murseli”, ka deklaruar ajo.
Si rrjedhojë, seancat e parashikuara për datat 2 dhe 9 korrik 2025 janë shtyrë për një afat të pacaktuar.
Në këtë proces penal, përveç Murselit, të akuzuar janë edhe Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, të cilët ngarkohen për vrasjen e rëndë të Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm, ndërsa Granit Plava nuk dha deklaratë për fajësinë. Kushtrim Kokalla njoftoi se nuk do të deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen. I vetmi që pranoi fajësinë ishte i akuzuari Tom Dodaj, i cili u dënua me 5 vjet burgim dhe gjobë në shumën prej 5 mijë eurosh.
Rasti i Liridona Ademajt ka tronditur opinionin publik dhe mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Shtyrja e seancave për arsye të ekspertizës psikiatrike mund të ndikojë në zgjatjen e mëtejshme të procesit gjyqësor.
KAQPATA