
Mbi një muaj pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet jashtë funksionit, teksa partitë politike nuk arrijnë të bien dakord për mënyrën e zbatimit të tij. Ngërçi politik që ka mbërthyer institucionin më të lartë ligjvënës të vendit ka hyrë tashmë në muajin e katërt pas zgjedhjeve parlamentare, ndërsa përpjekjet për konstituimin e Kuvendit kanë shkuar në 40.
Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj të shpallur të enjten pasdite, përcaktoi se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditëve, afat që përfundon më 26 korrik. Por interpretimi i këtij vendimi ka hapur përplasje të reja mes partive politike.
Lëvizja Vetëvendosje insiston se aktgjykimi lejon votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshtojnë një lexim të tillë, duke thënë se Kushtetuesja ka përcaktuar që votimi duhet të jetë i hapur.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka paralajmëruar se subjekti i saj do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim shtesë, për shkak të, siç thotë ajo, “mosmarrëveshjeve lidhur me leximin e aktgjykimit”.
“Është e qartë se nuk kemi një interpretim të përbashkët të aktgjykimit. Gjykata jo vetëm që nuk i ka sqaruar rrethanat, por i ka komplikuar edhe më shumë ato,” tha Kusari-Lila.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar LVV-në për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës dhe ka paralajmëruar veprime të reja ligjore.
“Qasja e LVV-së pas aktgjykimit është jo vetëm e papërgjegjshme, por përbën rrezik për vetë demokracinë. Jemi duke shqyrtuar mundësinë për ta dërguar çështjen sërish në Gjykatën Kushtetuese. Nëse nuk përmbushet obligimi deri më 26 korrik, nuk na mbetet tjetër veçse t’i kthehemi Gjykatës për përgjigje të reja,” u shpreh Krasniqi.
Edhe deputeti i LVV-së, Shpejtim Bulliqi, vlerësoi se vendimi i Gjykatës “më shumë ka komplikuar situatën sesa ka ofruar zgjidhje”, ndërsa bëri thirrje për përfshirjen e Presidentes në këtë proces.
Presidentja Vjosa Osmani, përmes këshilltarit të saj për media, Bekim Kupina, ka paralajmëruar ftesa për liderët e partive politike në ditët në vijim. Ajo pret që Kuvendi të përfundojë seancën konstituive brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë për “Gazeta Express”, tha se aktgjykimi është “i ndrojtur” dhe se nuk ka ofruar zgjidhje të plotë për ngërçin. Ai shtoi se opozita ka bazë për të dorëzuar një kërkesë të re në Gjykatë, e cila, sipas tij, do të detyrohej të korrigjojë vetveten.
Ndërkohë, përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike kanë dështuar edhe pas një takimi të mbajtur të shtunën, që zgjati mbi dy orë.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, akuzoi PDK-në dhe LDK-në për “keqinterpretim publik” të vendimit të Gjykatës. Përkundrazi, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se Kurti nuk ka reflektuar fare pas aktgjykimit, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti takimin “një farsë publike”.
Ngërçi institucional vazhdon, ndërsa vendi rrezikon të hyjë në krizë të thelluar politike nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit ligjor.
KAQPATA