Në një ngjarje të rëndë që ka tronditur Gjermania, gjashtë persona janë vrarë me armë zjarri në një qendër për nëna dhe fëmijë në qytetin Stade, ndërsa policia ka zbuluar se motivi i sulmit lidhet me një mosmarrëveshje familjare për kujdestarinë e një fëmije.
Viktimat ishin staf i qendrës
Sipas autoriteteve gjermane, viktimat – katër gra dhe dy burra – ishin të gjithë punonjës të qendrës sociale. Një numër personash të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa foshnja dhe nëna e saj, të pranishme gjatë sulmit, nuk janë lënduar.
Arrestime dhe hetime
Policia ka konfirmuar ndalimin e tre personave, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor për sulmin. Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ekziston rrezik i mëtejshëm për publikun, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Sipas deklarimeve të para të policisë, rasti nuk lidhet me motiv politik apo me femicid, por konsiderohet një “tragjedi familjare e zgjeruar”.
Sulmi dhe skenat pas ngjarjes
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:10, ndërsa dëshmitarët kanë raportuar për kaos në vendngjarje dhe ndërhyrje të shpejtë të forcave të rendit. Mediat gjermane kanë publikuar pamje të policisë duke ndaluar një automjet me dy persona që tentonin të largoheshin.
Zona përreth është izoluar nga autoritetet, ndërsa fëmijët nga një çerdhe dhe shkollë e afërt janë evakuuar në mënyrë të sigurt.
Motivi i dyshuar
Hetuesit gjermanë bëjnë të ditur se konflikti ka nisur nga një mosmarrëveshje për kujdestarinë e një vajze të vogël, çka dyshohet se ka çuar në sulmin fatal.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në institucionet sociale dhe për përshkallëzimin e konflikteve familjare në dhunë ekstreme.
KAQPATA


