Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit do të nisin komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Deklarata u bë të martën në Prishtinë, ku Kurti mori pjesë në edicionin e tetë të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”.

I pyetur nga gazetarët për hapat e ardhshëm pas procesit zgjedhor, ai tha se kontaktet me subjektet politike do të fillojnë sapo të përfundojë procesi i certifikimit të rezultateve.

“Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë”, deklaroi Kurti.

Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur institucionet zgjedhore po përmbyllin procedurat e nevojshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare, proces që pritet t’i hapë rrugë konsultimeve politike për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se certifikimi i rezultateve varet nga përfundimi i procedurave ankimore dhe vendimet e institucioneve kompetente.

Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 deputetë.

Tashmë vëmendja është përqendruar te negociatat politike që do të përcaktojnë përbërjen e qeverisë së ardhshme dhe shumicën parlamentare në Kosovë.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *