
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se Donald Trump ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në një samit paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë – me kusht që në takim të jetë prezent edhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Gjatë një deklarate për media në kthim nga samiti i NATO-s, Erdogan tha se gjatë takimit me Trump – i pari që pas rikthimit të këtij të fundit në skenën politike – ka propozuar organizimin e një takimi mes Volodymyr Zelensky dhe Putin në Ankara ose Stamboll.
“Nëse Putin vjen për një zgjidhje, atëherë do të vij edhe unë”, është shprehur Trump, sipas presidencës turke.
Turqia ka tentuar disa herë të luajë rolin e ndërmjetësit në konfliktin Rusi–Ukrainë dhe duket se po përpiqet të rifitojë besimin ndërkombëtar si faktor paqeje në rajon.
Në të njëjtën dalje publike, Erdogan njoftoi se Turqia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për t’u rikthyer në programin amerikan të avionëve luftarakë F-35, prej të cilit ishte përjashtuar në vitin 2020 pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.
“Kemi nisur bisedimet me amerikanët dhe kemi diskutuar edhe me Trump. Me vullnetin e Zotit, do të ketë përparim”, u shpreh Erdogan.
SHBA e kishte sanksionuar Ankaranë për shkak të afërsisë ushtarake me Rusinë, por Turqia ka kërkuar ose rikthim në programin F-35, ose kompensim financiar për investimet e saj.
KAQPATA