
Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut është rikthyer si temë diskutimi në skenën politike dhe institucionale në Kosovë. Pasi një kompani e kontraktuar nga Bashkimi Evropian realizoi testime të qëndrueshmërisë, hapja për qarkullim e kësaj ure po konsiderohet si e domosdoshme – por edhe si një lëvizje e mundshme politike në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit.
Përfaqësues të Qeverisë në detyrë shprehen të painformuar për testimet e fundit, por konfirmojnë që ura është stabile dhe e gatshme për çfarëdo ngarkese. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se “testimet kanë qenë të panevojshme, pasi raportet tona tregojnë që ura është e sigurt”.
Pavarësisht diskutimeve për hapjen e urës ekzistuese, institucionet janë të vendosura të vazhdojnë me ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, në bashkëpunim me komunat e Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cilëson si “moment unik” për hapjen e urës, duke kërkuar pajtim nga BE për ta vënë atë në funksion të plotë: “Ura nuk duhet të jetë simbol i ndarjes, por i lirisë së lëvizjes”.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e sheh temën si një “lojë politike për pikë elektorale”, duke theksuar se hapja e urës është dashur të ndodhë shumë më herët dhe se testimet nuk janë pengesa reale.
Hapja e urës është përfshirë që nga viti 2017 në kuadër të marrëveshjeve të dialogut në Bruksel, por deri më sot ka mbetur e mbyllur për qarkullim të automjeteve – duke simbolizuar ndarjen gjeopolitike dhe etnike në qytet.
KAQPATA