Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas rrëzimit në Parlamentin Evropian të amendamentit të propozuar nga disa eurodeputetë të grupit të majtë kundër ndërtimit të resortit turistik në Zvërnec.

Përmes një reagimi publik, Rama tha se votimi në Parlamentin Evropian dëshmon se Shqipëria po vlerësohet pozitivisht nga institucionet evropiane, ndërsa kritikoi ashpër kundërshtarët e projektit.

“Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e dezinformimit nga realiteti i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila sipas tij nuk ka lidhje me pretendimet e ngritura kundër projektit në Zvërnec”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria po avancon në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se mbështetja e institucioneve evropiane është tregues i progresit të vendit.

Ai shtoi se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik mund të ecin paralelisht, duke garantuar se flamingot, Vjosë-Narta dhe ekosistemi i zonës do të mbrohen sipas standardeve evropiane.

“Flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet dhe Zvërneci do të zhvillohet mbi bazën e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh Rama.

Amendamenti i rrëzuar ishte paraqitur nga eurodeputetja Ilaria Salis dhe një grup eurodeputetësh të majtë, të cilët kërkonin shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura të miratuara gjatë vitit 2024.

Sipas tyre, këto ndryshime mundësojnë zhvillime turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe dobësojnë mekanizmat e kontrollit mjedisor.

Megjithatë, gjatë votimit të rezolutës vjetore për Shqipërinë, Parlamenti Evropian miratoi një amendament tjetër që shpreh shqetësim për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë përputhshmëri të plotë me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Debati për projektin në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta në Shqipëri gjatë javëve të fundit, me organizata mjedisore dhe aktivistë që kundërshtojnë ndërtimin e resortit, ndërsa qeveria këmbëngul se projekti do të zbatohet duke respektuar standardet evropiane.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *