
Në një shtet ku legjitimiteti politik është bërë më shumë rezultat i performancës televizive, sesa i përfaqësimit real të elektoratit, nuk është aspak e çuditshme që në debatin për konstituimin e Kuvendit, zërin më “konsistent” ta ketë një avokat. Jo ligjvënës. Jo kryetar partie por avokat.
Z. Arianit Koci, në një paraqitje televizive të hershme këtë mëngjes, bëri një sugjerim politik që në thelb përfaqëson formulën më të shkurtër të deformimit demokratik: “Votojeni Albulenën, le të ju del e keqja” Me këtë logjikë, parimi i llogaridhënies zëvendësohet nga koncepti i “edukimit përmes dënimit kolektiv”.
Sipas kësaj qasjeje, opozita, në vend që të funksionojë si korektive institucionale e pushtetit, shndërrohet në mekanizëm pedagogjik për ndëshkimin e qytetarëve: votoni të papërshtatshmen, që populli të mësojë, jo nga përfaqësimi, por nga përjetimi. Kjo nuk është as pluralizëm politik, as konkurrencë ideologjike; është retorikë e delegjitimimit të funksionit parlamentar.
Z. Koci, si jurist, me gjasë e di që legjitimiteti nuk ndërtohet mbi provokime morale, por mbi kontratë politike me qytetarin. Por në vend që të mbrojë funksionin përfaqësues të opozitës si institucion demokratik, ai propozon që ajo të bëhet palë në një eksperiment elektoral me pasoja afatgjata për vetë sistemin parlamentar.
Duke promovuar konceptin “le ta provojmë që të dështojë”, avokati konverton të drejtën për të zgjedhur në një formë të sofistikuar të shantazhit populist, ku e keqja duhet kaluar me vetëdije për të krijuar të mirën një qasje e rrezikshme që prodhon vetëm krizë të qëndrueshme.
Nëse këtë e quajmë maturim demokratik, atëherë mbetet vetëm të pyesim: kur një avokat bëhet më bindës në çështjet e përfaqësimit sesa vetë përfaqësuesit politikë, a është kjo krizë politike, apo krizë profesionesh?
Në një shoqëri ku avokatët bëhen strategë të votës parlamentare dhe politikanët bëhen folës ceremonialë pa qëndrim, legjitimiteti nuk buron më nga sovrani, por nga kalkulimet personale të individëve me qasje në studio televizive.
Zgjidhja, natyrisht, nuk është të “shohim të keqen”, por ta parandalojmë me instrumentet që vetë demokracia i ka ndërtuar: votë kritike, transparencë, kontroll institucional dhe respekt për opozitën si shtyllë e sistemit parlamentar, jo si pjesë e një eksperimenti edukativ për qytetarin e rraskapitur nga keqqeverisjet.
KAQPATA