Një incident shqetësues ka ndodhur të hënën rreth orës 18:00 në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Lipjan, ku një pjesë e fasadës së një objekti banesor është shkëputur dhe ka rënë pranë hyrjes së ndërtesës, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e banorëve.

Pamjet e dërguara në redaksinë e KAQPATA tregojnë dëmtime të konsiderueshme në pjesën e sipërme të objektit, ndërsa copat e fasadës kanë përfunduar në hyrjen e ndërtesës dhe në hapësirat ku kalojnë banorët çdo ditë.

Banorët e zonës kanë reaguar ashpër, duke akuzuar institucionet për neglizhencë dhe mungesë të kontrolleve teknike ndaj objekteve që paraqesin rrezik potencial.

“Sot shpëtuam pa pasoja, por po të kalonte dikush në ato momente, situata mund të përfundonte tragjikisht”, ka deklaruar një banor për portalin KAQPATA.

Sipas tyre, problemet me degradimin e fasadës janë vërejtur prej kohësh, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për sanimin e saj.

Një banorë deklarohet: “Ka pas probleme me fasadën por asnjëherë nuk ka ndodhur para hyrjes. Para ca kohësh ka ndodhur që pjesë të fasadës të bien mbi vetura.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi përgjegjësinë e institucioneve lokale për inspektimin dhe mirëmbajtjen e objekteve banesore, veçanërisht atyre që paraqesin rrezik për qytetarët.

Fatmirësisht, nga shembja e fasadës nuk raportohet për persona të lënduar, por banorët kërkojnë reagim urgjent nga Komuna e Lipjanit dhe organet kompetente për të parandaluar një tragjedi të mundshme në të ardhmen.

A po presin institucionet që të ndodhë më e keqja për të reaguar?

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *