
Kosova po përballet me një situatë shqetësuese në trafikun rrugor. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 60 aksidente trafiku, nga të cilat dy kanë përfunduar me fatalitet, 23 me persona të lënduar dhe 35 me dëme materiale.
Dy viktima në dy aksidente të rënda
Njëri prej aksidenteve më tragjikë ndodhi në rrugën Gjilan–Prishtinë, ku një kamion dhe dy vetura u përplasën në një ngjarje të rëndë që përfundoi me një viktimë dhe dy të lënduar.
“Si pasojë një mashkull kosovar ka mbetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes, ndërsa dy persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore,” thuhet në raportin zyrtar të Policisë. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Aksidenti tjetër fatal ndodhi në Lipjan, ku u përfshinë një motoçikletë dhe një veturë. Drejtuesi i motoçikletës humbi jetën në vend, ndërsa drejtuesja e veturës, e dyshuar për shkaktimin e aksidentit, është arrestuar dhe ndaluar me vendim të prokurorit.
Masa të ashpra policore
Policia e Kosovës ka reaguar me vendosmëri, duke shqiptuar 1,937 gjoba trafiku gjatë së njëjtës periudhë kohore, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar shkeljet në komunikacion.
Ky bilanc i rëndë ngre sërish alarmin për nevojën e disiplinës në rrugë, kontrollit më të madh të shpejtësisë dhe përgjegjësisë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
KAQPATA