Një aksident tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një grua, ka shkaktuar një valë reagimesh politike dhe përplasje të ashpra mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Debati u intensifikua pasi Ministria në detyrë e Infrastrukturës njoftoi nënshkrimin e kontratave në vlerë prej 4.67 milionë eurosh për sanimin e skarpatave përgjatë autostradës, një projekt që sipas institucioneve synon rritjen e sigurisë në këtë aks rrugor.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, reagoi ashpër duke akuzuar Qeverinë për neglizhencë dhe reagim të vonuar ndaj problemeve të njohura në autostradë.

“Qytetarët po paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet”, deklaroi Rama, duke shtuar se për vite me radhë nuk është ndërhyrë në këtë segment rrugor.

Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se infrastruktura e ndërtuar në të kaluarën nuk po mirëmbahet siç duhet.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, i hodhi poshtë akuzat, duke sqaruar se fondet nuk janë për largimin e dheut, por për sanim të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës.

Sipas Bashës, autostrada kishte qenë e pastruar në momentin kur ndodhi aksidenti fatal dhe lidhja e tragjedisë me gjendjen e skarpatave është e pabazuar derisa të publikohet raporti përfundimtar i autoriteteve.

“Refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore”, deklaroi ai.

Përplasja u ashpërsua edhe më tej përmes postimeve në rrjetet sociale, ku Basha përdori gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj Ramës, duke e akuzuar atë për manipulim politik dhe duke përmendur edhe çështje që lidhen me reformën në drejtësi.

Në debat u përfshi edhe zyrtari i LDK-së, Sokol Havolli, i cili vlerësoi se ministri mban përgjegjësi politike dhe ligjore për sigurinë në autostrada.

“Viktimat në autostrada janë përgjegjësi e jotja”, shkroi Havolli, duke kërkuar hetim për rastet e vdekjeve që, sipas tij, lidhen me defekte të paralajmëruara prej kohësh në infrastrukturë.

Ndërkohë, shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, akuzoi Përparim Ramën për shfrytëzim politik të tragjedisë.

Sipas tij, përdorimi i një ngjarjeje tragjike për sulme politike është i papranueshëm dhe jashtë standardeve etike.

Përplasja politike vjen në një kohë kur opinioni publik kërkon përgjigje lidhur me sigurinë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ndërsa raporti paraprak i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se drejtuesi i automjetit kishte humbur kontrollin dhe kishte goditur barrierat mbrojtëse në zonën ku më herët ishte raportuar shembje dheu.

Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore dhe përgjegjësinë institucionale për sigurinë e qytetarëve.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *