
Përdorues të shumtë të sistemit operativ Windows kanë raportuar probleme serioze me funksionimin e shfletuesit Google Chrome, të cilat kanë nisur në fillim të muajit qershor. Shfletuesi mbyllet menjëherë pas hapjes, duke pamundësuar përdorimin e tij në shumë pajisje.
Microsoft ka konfirmuar se problemi lidhet me funksionin “Siguria Familjare” (Family Safety), i cili është pjesë e platformës Microsoft 365 dhe përdoret kryesisht nga prindërit dhe institucionet arsimore për të kontrolluar aksesin e fëmijëve në internet.
Në disa raste, ky funksion po e bllokon hapjen e Chrome krejtësisht. Përdoruesit që kanë instaluar këtë shërbim raportojnë se aplikacioni mbyllet automatikisht disa sekonda pas hapjes, duke e bërë të pamundur përdorimin e tij.
Sipas disa përdoruesve, një zgjidhje e përkohshme është riemërtimi i skedarit “Chrome.exe” — një truk që ndonjëherë ndihmon që programi të shmangë filtrimin nga Siguria Familjare. Një tjetër opsion është çaktivizimi i filtrimit të faqeve të internetit në cilësimet e Microsoft Family Safety, por kjo sjell me vete rreziqe të tjera, sidomos për përdoruesit e mitur që mund të kenë qasje në përmbajtje të papërshtatshme.
Shfletues të tjerë si Mozilla Firefox dhe Opera nuk janë prekur nga ky problem.
Kompania Microsoft nuk ka dhënë ende një afat të saktë se kur pritet të ndodhë rregullimi i plotë i këtij problemi. Ndërkohë, përdoruesit janë të këshilluar të përditësojnë sistemin dhe të kontrollojnë cilësimet e llogarive familjare, por zgjidhjet janë të pjesshme dhe nuk funksionojnë për të gjithë.
Ky incident ngre shqetësime për ndërhyrjen e funksioneve të sigurisë në lirinë e zgjedhjes së shfletuesit, si dhe në përputhshmërinë e softuerëve me sistemin operativ të njëjtës kompani.
KAQPATA