
Nënoficer Qendrim Berisha nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses të jashtëzakonshëm Kursin Ndërkombëtar për Teknik të Municioneve (International Technician Ammunition Course) në Mbretërinë e Bashkuar. Ai është shpallur kursanti më i mirë ndërkombëtar duke u nderuar me çmimin prestigjioz “Comera Cup”, në një garë të ngushtë me pjesëmarrës nga vende si Gana, Estonia dhe Kuvajti.
Ky kurs i specializuar zhvillohet në tri module intensive, duke përfshirë si përgatitjen teorike ashtu edhe atë praktike në fushën e municioneve dhe sigurisë ushtarake. Në modulin e parë, pjesëmarrësit trajnohen për njohuri të përgjithshme mbi municionet, duke filluar nga përbërja kimike, procesi i prodhimit, identifikimi dhe përdorimi i kalibrave të ndryshëm, deri tek njohuritë për mortaja, mina, si dhe raketat anti-tank si Javelin dhe NLAW.
Moduli i dytë përqendrohet në planifikimin dhe vendimmarrjen për ndërtimin e depove të municioneve, duke u bazuar në rregulloret dhe doktrinat ndërkombëtare të sigurisë. Po ashtu, trajtohen temat që lidhen me inspektimet, transportet ndërkufitare dhe menaxhimin e rrezikut.
Moduli i tretë përfshin pjesën praktike dhe teorike të asgjësimit të municioneve, një aspekt shumë i rëndësishëm për trajtimin profesional dhe të sigurt të tyre.
Ky sukses i nënoficerit Berisha është vlerësuar si një arritje jo vetëm personale por edhe institucionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke treguar përkushtimin dhe nivelin e lartë të përgatitjes së pjesëtarëve të saj në skenën ndërkombëtare.
KAQPATA