
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka konfirmuar se Izraeli e pranon në tërësi propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim 24-orësh me Iranin, që synon të hapë rrugën për një paqe të përhershme.
Gjatë një deklarate publike dhe pas informimit të kabinetit qeveritar, Netanjahu u shpreh se “Izraeli i ka arritur qëllimet e veta në Iran – madje më shumë sesa që kishim parashikuar.”
“Ne e pranojmë plotësisht planin e presidentit Trump për armëpushim dhe do ta respektojmë atë. Kjo është një mundësi për të ecur drejt stabilitetit afatgjatë në rajon,” tha Netanjahu.
Presidenti Trump shpalli dje iniciativën për një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve mes Izraelit dhe Iranit, duke e quajtur këtë një fitore për paqen globale. Ai ka paralajmëruar se ky armëpushim duhet të shndërrohet në një marrëveshje paqeje afatgjatë, e mbështetur nga SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ky zhvillim vjen në një periudhë tejet të tensionuar në Lindjen e Mesme, ku përplasjet dhe kërcënimet për përshkallëzim të luftës kishin alarmuar komunitetin ndërkombëtar.
Netanjahu gjithashtu bëri thirrje që ky moment të shfrytëzohet për ndërtimin e një rendit të ri rajonal, duke nënvizuar rolin kyç të SHBA-së si ndërmjetëse e paqes.
KAQPATA