
Sot është dita e fundit për partitë politike në Kosovë për të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deklarimin e tyre për koalicionet zgjedhore, në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit. Këto zgjedhje do të mbahen për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale në të gjithë vendin.
Megjithëse afati përfundon sot, deri më tani vetëm dy parti politike kanë dorëzuar zyrtarisht në KQZ njoftimin për bashkëpunim zgjedhor. Bëhet fjalë për Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat kanë formuar koalicionin “Koalicija Vakat”.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se përveç deklarimit për koalicione, sot përfundon edhe afati për partitë që zgjedhin të mos marrin pjesë në zgjedhje.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, brenda 15 ditëve nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, çdo parti politike e regjistruar që nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, duhet të njoftojë Zyrën përkatëse se nuk do të kërkojë certifikim ose se do të kërkojë të certifikohet përmes një koalicioni”, deklaroi Elezi.
Mosinteresimi për koalicione të tjera të formalizuara sinjalizon që shumica e partive preferojnë të garojnë të vetme në këtë proces zgjedhor.
KAQPATA