Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar për një rast të suksesshëm mjekësor në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL), ku një paciente që kishte humbur dëgjimin për 18 vjet ka përjetuar përmirësim të dukshëm pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja R.H. (1981) kishte vuajtur për gati dy dekada nga humbja e rëndë e dëgjimit dhe vështirësi të mëdha në komunikim, pavarësisht trajtimeve të mëhershme në qendra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Pas ekzaminimeve të detajuara klinike dhe vlerësimeve multidisiplinare, ajo iu nënshtrua një operacioni të suksesshëm në Klinikën e ORL-së të QKUK-së.
Ndërhyrja kirurgjikale u realizua nga ekipi mjekësor i udhëhequr nga dr. Refki Krasniqi, me mbështetjen e ekipit të anesteziologëve nën udhëheqjen e dr. Arian Ademit.
Pas disa ditësh trajtimi në klinikë, pacientja është liruar në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa testet pas operacionit kanë treguar përmirësim të dukshëm të dëgjimit dhe aftësisë së komunikimit.
QKUK thekson se ky rast përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale dhe dëshmi të kapaciteteve të klinikës në trajtimin e çrregullimeve të dëgjimit me metoda bashkëkohore.
KAQPATA


