
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka akuzuar liderin e Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për, siç u shpreh ai, “mospërputhje të thellë me parimet bazë të demokracisë parlamentare”.
Në një deklaratë dhënë për emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, Abdixhiku theksoi se në demokraci është përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve që të marrë iniciativën për ndërtimin e institucioneve, edhe nëse nuk ka shumicë absolute.
“Në praktikën demokratike të Kosovës, të parit i bie barra më e madhe për formimin e institucioneve. Mund të mos ketë shumicë, por si fitues i zgjedhjeve, ka të drejtë dhe detyrim të nisë marrëveshje politike,” u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se Kurti ka një keqinterpretim të rolit të pozitës dhe opozitës, duke theksuar se këto pozicione formohen vetëm pas krijimit të qeverisë. Sipas tij, pretendimi se Vetëvendosje mbetet në pozitë, pavarësisht bllokadës politike dhe mungesës së institucioneve të reja, është një “gabim themelor”.
“Naiviteti më i madh është të mendosh se je pozitë, ndërkohë që qeveria nuk është formuar. Nëse beson se je ende në pozitë, nuk njeh rregullat bazë të demokracisë,” përfundoi Abdixhiku.
Kujtojmë se Kosova ndodhet në një krizë institucionale, me 34 tentativa të dështuara për konstituimin e legjislaturës së re, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
KAQPATA