
PRISHTINË, 16 Qershor 2025
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot nisi seanca e parë për një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë: masakrën e Mejës, ku në prill të vitit 1999 u vranë 370 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve u gjetën më vonë në varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Por, në sallën e gjyqit mungon diçka thelbësore: të akuzuarit.
Procesi po zhvillohet në mungesë të 53 të akuzuarve, në mesin e të cilëve ndodhen emra të njohur të aparatit ushtarak dhe të shërbimeve sekrete serbe, si Momir Stojanoviq – ish-shef i sigurisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës dhe më vonë drejtues i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë në Serbi – dhe Franko Simatoviq (“Frenki”), themelues i Njësisë për Operacione Speciale (JSO).
Aktakuza, e ngritur në dhjetor 2023 dhe e plotësuar në prill 2024, përfshin përgjegjësinë për operacionin famëkeq “Lumi i Keq”, i cili çoi në zhdukjen, vrasjen dhe varrosjen masive të qindra shqiptarëve të pafajshëm. Aty përmenden krime si vrasje, tortura, dhunë seksuale, dëbim etnik dhe plaçkitje.
Shërbimet serbe dhe brutaliteti i JSO-së
Njësia për Operacione Speciale, e njohur si “Frenkistët”, është përshkruar nga dëshmitarë dhe raporte ndërkombëtare si një ndër grupet më brutale gjatë luftës. Human Rights Watch ka dokumentuar dëshmi të oficerëve serbë, të cilët përshkruajnë veprimet e JSO-së si masakra pa dallim.
Ndërkaq, Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq, dy figura kyçe të shërbimeve sekrete serbe, janë dënuar në vitin 2023 nga Gjykata e Hagës me 15 vjet burg për krime në Bosnje. Por për krimet në Kosovë, ende nuk ka drejtësi.
Hetime të zgjatura dhe drejtësi në mungesë
Rasti i Mejës u hetua fillimisht nga misioni EULEX, i cili në vitin 2013 hapi dosjen për 18 persona. Pas marrjes së lëndës nga prokurorët vendorë në vitin 2018, numri i të akuzuarve u rrit në 53.
Prokurorja Drita Hajdari, tashmë në pension, e konsideroi këtë rast si ndër më komplekset, pasi përfshin përgjegjësi komanduese dhe vrasje sistematike të fshatrave të tërë.
Serbët e pandëshkueshëm
Sipas Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, shumica e të akuzuarve gjenden në Serbi dhe gëzojnë imunitet politik. Ajo shprehet se krimet në Mejë nuk janë trajtuar kurrë seriozisht nga autoritetet serbe, pavarësisht provave të shumta të dorëzuara nga organizatat ndërkombëtare.
“Këta persona janë të paprekshëm, të mbrojtur nga mungesa e vullnetit politik. Nuk do të ketë drejtësi reale pa bashkëpunim institucional mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kandiq.
Drejtësi e cunguar?
Gjykimi në mungesë, i mundësuar nga ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës në vitin 2022, është kritikuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare. Sipas Bekim Blakajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, këto procese “shkojnë kundër standardeve evropiane” dhe nuk i sjellin drejtësi të vërtetë viktimave.
“Nëse nuk ka ndëshkim real dhe asnjë prej të akuzuarve nuk ulet përballë viktimave, këto mbeten vetëm gjykime simbolike,” thotë Blakaj.
Gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbi 13.000 civilë u vranë në Kosovë, ndërsa ende 1.600 janë të zhdukur. Rasti i Mejës mbetet një nga plagët më të hapura të atij kapitulli tragjik të historisë sonë – një plagë që ende kërkon drejtësi, jo vetëm në sallat e gjykatës, por edhe në ndërgjegjen ndërkombëtare. /REL/
KAQPATA