
Presidenca e Kosovës tashmë ka përgatitur një draft për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me bllokadën në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ky hap do të ndërmerret vetëm pasi Kushtetuesja të shpallë aktgjykimin për pranueshmërinë e kërkesës së dorëzuar më parë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka deklaruar për Gazetën Express se drafti është përgatitur nga ekipi ligjor i Presidentes, por se procedura po pezullohet për momentin për të shmangur ndonjë ngërç procedural.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor i Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese. Mirëpo, jemi në pritje të aktgjykimit të kësaj gjykate rreth pranueshmërisë së kërkesës së dorëzuar nga AAK-ja. Kjo mund të ndihmojë në sqarimin e çështjeve procedurale për pranueshmërinë e një kërkese të mundshme nga Presidentja”, tha Kupina.
Presidentja Osmani, pas një takimi të zhvilluar në maj me liderët e partive parlamentare, kishte shprehur gatishmërinë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në rast se vazhdon ngërçi institucional dhe nëse një gjë e tillë konsiderohet e domosdoshme.
“Ka disa opsione nëse vazhdon ngërçi – njëra është që deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, ndërsa mënyra tjetër është që unë, si Presidente, t’i drejtohem Kushtetueses”, kishte deklaruar Osmani.
Ajo kishte shtuar se nuk do të kishte asnjë hezitim për të ndërmarrë këtë hap, nëse do të kishte pajtueshmëri nga liderët politikë.
Ndërkohë, lidhur me një takim të dytë konsultativ, Kupina tha se ftesa e Presidentes mbetet e hapur dhe se ajo është ripërsëritur gjatë takimit për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
“Pas takimit të mbajtur më 15 maj, Presidentja i ka ftuar sërish liderët në një takim të dytë, kësaj here për organizimin e zgjedhjeve lokale. Gjatë atij takimi, ajo ka përsëritur ftesën për konsultime shtesë edhe lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Ftesa mbetet ende e vlefshme”, përfundoi Kupina.
ripostim: KAQPATA
credits : GazetaExpress