
Në Kosovë, gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 640 raste të reja me kancer të gjirit, ku shumica kanë qenë gra, por janë shënuar edhe raste te burrat.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër kancerit të gjirit, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Ai tha se ky muaj është pjesë e një fushate globale që synon ndërgjegjësimin, zbulimin e hershëm dhe kujdesin e vazhdueshëm për shëndetin e gjirit.
“Motoja e fushatës këtë vit është ‘Me ty fillon parandalimi!’, që tregon se secili nga ne ka një rol të rëndësishëm. Me vetëkontroll dhe kontrolle të rregullta mjekësore mund të shpëtojmë jetë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar 640 raste të reja, çka e bën këtë sëmundje një prioritet kombëtar shëndetësor.
Kryeministri po ashtu tha se tashmë mamografitë dhe rikonstruktimi i gjirit janë falas në institucionet publike dhe është hartuar Plani Kombëtar i Skriningut për vitet 2026–2028.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se investimet e fundit në Klinikën e Onkologjisë kanë dyfishuar kapacitetet e shtretërve dhe kanë krijuar kushte më të mira për trajtimin e pacientëve.
Ai theksoi se vetëkontrolli dhe mamografia janë mënyrat më të sigurta për diagnostikimin e hershëm dhe shërimin.
KAQPATA