Janë gjetur 23 gëzhoja pranë veturës së Milan Vukashinoviqit, serbit që u plagos rëndë në një incident të ndodhur, sipas raportimeve, brenda territorit të Kosovës.
Avokati Ivan Niniq, i cili prej ditësh po publikon detaje për rastin, konfirmoi se gëzhojat janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe paralajmëroi se çështja po merr përmasa serioze. Ai tha se Vukashinoviqi ndodhet në Qendrën Klinike të Nishit në gjendje të rëndë, ndërsa mjekët po përpiqen t’i shpëtojnë jetën.
Niniq kishte raportuar më herët se incidenti ndodhi më 1 nëntor në fshatin Jelakcë të Leposaviqit. Sipas tij, Vukashinoviqi u plagos dhe më pas u rrëmbye për t’u transportuar në territorin e Serbisë. Policia e Kosovës e konfirmoi ngjarjen, duke bërë të ditur se disa persona të maskuar kishin hyrë në Kosovë dhe e kishin marrë të plagosurin.
Hetimet për rastin po i udhëheq Drejtoria për Krime të Organizuar dhe Vepra të Rënda, ndërsa është njoftuar edhe KFOR-i. Niniq ka ngritur padi penale kundër disa pjesëtarëve të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë, si dhe personave të lidhur me “grupin e Milan Radoiçiqit”, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Avokati ka deklaruar gjithashtu se po merr kërcënime në “Telegram”, për shkak të raportimeve të tij të vazhdueshme mbi rastin që e ka cilësuar si “Banjska 2”.
KAQPATA